Kalo te përmbajtja
Tech Atlas

Menuja

Mirëmbajtje dhe suport

Mirëmbajtje softueri dhe website, me suport teknik në shqip

Ofrojmë mirëmbajtje softueri dhe website për biznese dhe institucione: rregullojmë gabimet, mbajmë të përditësuar sigurinë, monitorojmë sistemin dhe shtojmë përmirësime të vogla. Marrim në dorëzim edhe softuer të ndërtuar nga një ekip tjetër. Pas rreth dhjetë vitesh dhe mbi 85 projekteve në pesë shtete, e dimë ku prishet zakonisht një sistem.

Detajet

Çfarë përfshin mirëmbajtja e softuerit

Një ekip i vetëm kujdeset për sistemin tuaj çdo muaj, me fushën e punës dhe kohët e reagimit të shkruara në kontratë. Merrni një raport të qartë të punës dhe keni një person kontakti.

Nis një projekt
  1. 01Rregullim gabimesh dhe problemesh
  2. 02Përditësime sigurie dhe librarish
  3. 03Monitorim, njoftime dhe kontroll funksionimi
  4. 04Përmirësim shpejtësie dhe databaze
  5. 05Funksione të reja të vogla
  6. 06Marrje në dorëzim nga ekipe të tjera

Si punojmë

  1. 01

    Analiza

    Mësojmë qëllimet, përdoruesit dhe kufizimet dhe biem dakord për qëllimin.

  2. 02

    Dizajni

    Rrjedhat, prototipet dhe ndërfaqja, të testuara para ndërtimit.

  3. 03

    Ndërtimi

    Sprinte dyjavore me një version që punon për ta parë çdo herë.

  4. 04

    Lançimi

    Testim, kontrolle sigurie dhe një publikim pa surpriza.

  5. 05

    Mbështetja

    Monitorim, përditësime dhe funksione të reja me ritëm të rënë dakord.

Kur ju duhet mirëmbajtje dhe suport teknik

Shumë biznese në Shqipëri e porosisin një faqe ose aplikacion, e publikojnë dhe pastaj nuk e prekin më. Kjo funksionon për pak kohë. Shfletuesit, telefonat dhe libraritë mbi të cilat është ndërtuar kodi ndryshojnë vazhdimisht, dhe një ditë diçka ndalon së punuari. Na kontaktojnë zakonisht kur:

  • Kompania ose programuesi që e ndërtoi sistemin nuk është më i disponueshëm.
  • Faqja paralajmëron për përditësime sigurie që askush nuk i ka bërë.
  • Klientët ankohen për gabime, por nuk ka kush t'i rregullojë.
  • Sistemi është ngadalësuar me rritjen e të dhënave.
  • Keni nevojë për ndryshime të vogla, por nuk keni ekip teknik brenda kompanisë.

Një marrëveshje mirëmbajtjeje i jep kësaj pune një përgjegjës dhe një ritëm të rregullt, në vend të nxitimit sa herë që ndodh një problem. Me kohë del edhe më lirë: një përditësim i bërë kur publikohet është punë e vogël, ndërsa i njëjti përditësim i lënë për vite shpesh kthehet në rishkrim të një pjese të sistemit.

Kur sistemin e ka ndërtuar dikush tjetër

Shpesh puna jonë fillon me kod që nuk e kemi shkruar ne. Para se të marrim përgjegjësinë, e njohim sistemin hap pas hapi:

  1. Kontrolli i kodit. E lexojmë kodin, e ngremë në kompjuterin tonë dhe ju shpjegojmë me fjalë të thjeshta gjendjen e tij.
  2. Aksesi. Mbledhim llogaritë e hostingut, domenin, depot e kodit dhe fjalëkalimet, dhe sigurohemi që janë në emrin tuaj.
  3. Dokumentimi. Shkruajmë si ndërtohet, si publikohet dhe si rikthehet sistemi nga një kopje rezervë.
  4. Stabilizimi. Rregullojmë problemet urgjente dhe vendosim monitorim dhe kopje rezervë.
  5. Mirëmbajtja e rregullt. Prej këtu puna vazhdon me një plan mujor.

Nëse sistemi është shumë i vjetër për t'u mirëmbajtur me një kosto të arsyeshme, jua themi hapur dhe ju tregojmë rrugët e mundshme, përfshirë modernizimin e sistemeve.

Si funksionon suporti teknik

Në fillim caktojmë bashkë cilat sisteme mbulohen, sa orë në muaj rezervohen, si raportohen problemet dhe sa shpejt reagojmë për secilin nivel prioriteti. Kohët e reagimit përcaktohen në kontratë për çdo klient, sepse faqja e një kompanie të vogël dhe një sistem pagesash kanë nevoja shumë të ndryshme. Kur ndodh diçka urgjente jashtë planit, e trajtojmë sipas prioritetit të rënë dakord, pa pritur fundin e muajit.

Çdo muaj bëjmë përditësimet e sigurisë, ndjekim njoftimet e monitorimit, rregullojmë gabimet sipas prioritetit dhe kohën që mbetet e përdorim për përmirësimet që keni kërkuar. Çdo ndryshim kontrollohet dhe testohet para publikimit, me ndihmën e testimit të softuerit kur sistemi ka nevojë për teste automatike. Komunikimi bëhet në shqip, me telefon, e-mail ose takim, dhe në fund të muajit merrni një përmbledhje të shkurtër.

Çfarë merrni me marrëveshjen

Mirëmbajtja e mirë nuk e mban vetëm sistemin në këmbë: e lë çdo muaj në gjendje më të mirë. Me marrëveshjen tonë merrni:

  • Një raport me shkrim për gjendjen e sistemit në fillim, me rreziqet sipas rëndësisë.
  • Dokumentim të përditësuar për ndërtimin, publikimin dhe rikthimin e sistemit.
  • Monitorim që na njofton për problemet, shpesh para se t'i vënë re përdoruesit.
  • Kopje rezervë që provohen duke i rikthyer realisht, jo vetëm të planifikuara.
  • Një regjistër të çdo kërkese, me prioritetin, zgjidhjen dhe datën e publikimit.

Kodi, domeni dhe llogaritë mbeten në emrin tuaj. Nëse një ditë vendosni ta kaloni punën te një ekip tjetër, dokumentimi dhe aksesi janë gati.

Çfarë mirëmbajmë

Mirëmbajmë të njëjtat lloje softueri që ndërtojmë, për biznese të vogla me një faqe interneti, kompani me programe të brendshme dhe institucione:

  • Faqe interneti, dyqane online dhe panele administrimi
  • Aplikacione web dhe portale për klientët
  • Aplikacione mobile për iOS dhe Android
  • Softuer biznesi, faturim dhe programe të brendshme
  • Hosting në AWS, Azure dhe Google Cloud

Për bizneset që faturojnë me sisteme të lidhura me fiskalizimin, mirëmbajtja ka edhe një arsye më shumë: kur ndryshojnë rregullat ose specifikimet teknike, sistemi duhet përshtatur me kohë. Këtë e bëjmë së bashku me shërbimin tonë të fiskalizimit dhe softuerit fintech. Për të na treguar për sistemin tuaj, na shkruani te faqja e kontaktit.

Mirëmbajtje softueri

Pyetje të shpeshta

Çfarë përfshin mirëmbajtja e një softueri?

Mirëmbajtja e mban softuerin në punë pas publikimit: rregullim gabimesh, përditësime sigurie, përditësime të librarive dhe sistemeve mbi të cilat është ndërtuar, monitorim, përmirësim shpejtësie dhe ndryshime të vogla. Qëllimi është që sistemi të jetë i sigurt dhe të funksionojë mirë, pa pritur që të prishet diçka.

A e mirëmbani një faqe që e ka ndërtuar një kompani tjetër?

Po, dhe kjo ndodh shpesh. Fillojmë me një kontroll të kodit, mbledhim të gjitha llogaritë dhe aksesin, dokumentojmë sistemin dhe rregullojmë problemet urgjente. Pastaj kalojmë në mirëmbajtje të rregullt. Nëse kodi nuk ia vlen të mirëmbahet, ua themi që në fillim, para se të merrni ndonjë angazhim.

Sa shpejt reagoni kur ka një problem?

Kohët e reagimit përcaktohen në kontratë dhe varen nga rëndësia e sistemit. Caktojmë bashkë nivelet e prioritetit, për shembull një sistem që nuk punon fare dhe një gabim i vogël në pamje, dhe shkruajmë kohën e reagimit për secilin. Kështu mbulimi i përshtatet sistemit tuaj.

Sa kushton mirëmbajtja e softuerit ose e faqes?

Varet nga madhësia dhe mosha e sistemit, sa aplikacione mbulohen, sa orë në muaj rezervohen dhe sa shpejt duhet të reagojmë. Pas një bisede të shkurtër, dhe një kontrolli të kodit kur sistemi është ndërtuar nga të tjerë, ju dërgojmë një ofertë me shkrim me fushën e punës, planin mujor dhe afatet.

A e jepni suportin teknik në shqip?

Po. Ekipi ynë është në Shqipëri dhe komunikimi bëhet në shqip, me telefon, e-mail ose takim. Po ata inxhinierë kujdesen për sistemin tuaj muaj pas muaji, kështu që nuk keni pse t'ia shpjegoni çdo herë dikujt të ri si funksionon. Raportet dhe dokumentimi shkruhen gjithashtu në shqip.

A mund të shtoni funksione të reja gjatë mirëmbajtjes?

Po, për ndryshime të vogla. Orët mujore që mbeten pas përditësimeve dhe rregullimeve përdoren për përmirësimet që keni kërkuar, sipas radhës që vendosni ju. Për një funksion të madh ose një modul të ri përgatisim një ofertë më vete, që puna e rregullt e mirëmbajtjes të mos ngecë.

Shërbime të tjera